Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë së bashku me 8 universitete shqiptare: Universiteti i Sporteve të Tiranës, Universiteti i Durrësit, Universiteti i Elbasanit, Universiteti i Gjirokastrës, Universiteti i Korçës, Universiteti i Shkodrës, Universiteti i Vlorës, Universiteti Pavarësia Vlorë si dhe 3 universitete europiane: Universiteti León (Spanjë), Universiteti i Turku (Finlandë), Danube University Crems (Austri) janë të përfshira në projektin “Zhvillimi i kompetencave të mësuesve për një sistem gjithëpërfshirës të zhvillimit profesional të mësuesve.” (TEAVET). Ky projekt është shpallur fitues në kuadër të KA 2 të programit Erasmus+ dhe koorfdinohet nga Universiteti León (Spanjë).
Projekt TEAVET zgjat 3 vjet 2017-2020 dhe ka për fokus kryesor ngritjen e kapaciteteve të stafeve akademike të universiteteve shqiptarë për trajnimin e mësuesve si dhe ngritjen e sistemit të trajnimit nëpërmjet qendrave të të nxënit gjatë gjithë jetës në këto universitete.
Projekti TEAVET ka disa komponentë të renditura si më poshtë:
Identifikimi i nevojave për trajnim i mësuesve – Ky aktivitet realizohet nga universitetet shqiptare. Ato kanë përgatitur instrumentin e identifikimit të nevojave, kanë realizuar mbledhjen e të dhënave me kampionim për trajnimin e mësuesve dhe kanë hartuar raportin për identifikimin e nevojave.
Hartimi i moduleve/kurseve të trajnimit dhe krijimi i qendrave të të nxënit gjatë gjithë jetës (LLL) në universitete –Universitet do të hartojnë modulet e trajnimit dhe do të ngrihet rrjeti i qendrave të të nxënit gjatë gjithë jetës për trajnimin e mësuesve. Qendrat për trajnimin e mësuesve do të jenë të pajisura dhe me mjete digjitale.
Ngritja e kapaciteteve të stafeve akademike për hartimin e moduleve të trajnimit dhe zhvillimin e trajnimeve – Gjatë zhvillimit të këtij komponenti, do të organizohen seminare për përgatitjen e stafit akademik në trajnimin e mësuesve.
Sistemi i trajnimit të mësuesve (LLL) – Ky komponent drejtohet nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Në këtë fazë të projektit, universitetet janë gati për të realizuar trajnimet me modulet e trajnimit që ata kanë hartuar. Detyra kryesore është të akreditohen modulet e trajnimit të hartuara nga universitet dhe të krijohet databaza e mësuesve të trajnuar.
Vlerësimi i Sistemit të trajnimit të mësuesve (LLL) –Në këtë komponent do të kryhet vlerësimi i kurseve të trajnimit dhe hartimi i raportimit të vlerësimit.