Vlerësimi për të nxënë shpesh quhet vlerësim formues dhe është vlerësim që mbledh të dhëna dhe dëshmi rreth të nxënit të nxënësve gjatë procesit të të nxënit. Ky lloj vlerësimi mundëson që mësuesi të identifikojë pikat e forta të nxënësve, problemet dhe vështirësitë që ata kanë dhe të japë reagime të menjëhershme të cilat i ndihmojnë nxënësit të mësojnë më mirë. Gjithashtu, vlerësimi për të nxënë ndihmon mësuesin të planifikojë punën për të zhvilluar mësimin në mënyrë më efektive.. Shpesh ky vlerësim është informal dhe nxënësit mund të mbajnë edhe vetë shënime mbi progresin e tyre. Një shembull është një kuiz i shpejtë për të parë nëse nxënësit i kujtojnë pikat e rëndësishme të mësimit.
Ndryshimi kryesor që ka ndodhur në vlerësimin e nxënësit gjatë zbatimit të kurrikulës së re është vlerësimi për të nxënë (vlerësimi i vazhduar). Fokusi kryesor i vlerësimit për të nxënë (vlerësimit të vazhduar) është që nxënësi të përmirësojë të nxënit e tij, si dhe të motivohet më shumë për të mësuar. Pra, vlerësimi për të nxënë nuk ka si qëllim kryesor vendosjen e një note, por të evidentojë te nxënësi pikat e forta dhe problematikat dhe ta ndihmojë që t’i përmirësojë ato. Në këto kushte, mësuesi duhet të fokusohet te procesi i të nxënit dhe jo te vendosja e notës.
Si dokumentohet vlerësimi i vazhduar (vlerësimi për të nxënë)?
- Fletorja personale dhe evidenca nënkuptojnë të njëjtin dokument. Pra, mësuesi ka vetëm një dokument për vlerësimin e vazhduar (vlerësimin për të nxënë).
- Mësuesi mban shënime në fletoren e tij personale (apo në evidencë) ecurinë e progresit të nxënësit lidhur me rezultatet e arritjes.
- Fletoren personale (evidencën) mësuesi e formaton në mënyrën më të përshtatshme për të, por duke ruajtur logjikën e vlerësimit për të nxënë. Me fletoren personale (evidencën) mësuesi është i lehtësuar nga ngarkesa ose presioni për të vënë nota në regjistër në mënyrë të vazhduar.
- Mësuesi është i lirë t’i mbajë shënimet në fletoren e tij personale (evidencë) duke vendosur simbolet, që ai gjykon si të përshtatshme, të shoqëruara me komente shumë sintetike, të cilat iu referohen niveleve të arritjes së kompetencave lëndore.
- Komenti përmban nivelin e arritjes duke e shënuar me simbolin përkatës (p.sh., N3 ose N4), si dhe konceptin/konceptet përkatëse për të cilin është vëzhguar nxënësi.
- Përgjigjet me gojë ose me shkrim, punët në grup, punët individuale, diskutimet e mësuesit me nxënësit, vetëvlerësimi i nxënësit, vlerësimi i nxënësit nga nxënësi, pjesëmarrjet në aktivitete dhe diskutimet në klasë, detyrat e shtëpisë apo të klasës etj., vlerësohen me simbole. Vendosja e notës në mënyrë të vazhduar gjatë vlerësimit për të nxënë nuk ndihmon procesin e të nxënit, motivimin e nxënësve për të nxënë dhe zhvillimin e kompetencave.
- Nota në fletoren personale (evidencë) mund të vendoset vetëm në raste specifike, siç janë testet e ndërmjetme apo punët me shkrim etj.
- Nota e vlerësimit të vazhduar që vendoset në regjistër në faqen “Vlerësimi periodik” duhet të jetë rezultante progresive (ose regresive) e vlerësimeve që mësuesi ka mbajtur në fletoren e tij personale.
- Fletorja personale (evidenca) është objekt monitorimi, por nuk duhet dorëzuar në përfundim të periudhës.
- Mësuesi mban përgjegjësi për fletoren personale dhe duhet të argumentojë notën e vlerësimit të vazhduar të vendosur në regjistër.
- Mësuesi duhet të ruajë deri në përfundim të vitit shkollor fletoren personale (evidencën), teste/detyra të ndërmjetme, punët me shkrim, etj. Këto do t’i shërbejnë për të argumentuar notën e vlerësimit të vazhduar.
- Drejtuesit e shkollave nuk duhet të ngarkojnë mësuesit me detyrimin për të mbajtur dy dokumente për vlerësimin e vazhduar të nxënësve: evidencën e vlerësimit të vazhduar dhe fletoren personale të shënimeve, ato janë e njëjta gjë.
- Gjatë periudhës, mësuesi i lëndës ka përgjegjësi për të informuar nxënësin për ecurinë dhe mundësinë e tij për progres.